Blog

14/09/2016

Kerkese per Ministrine e Financave, Për heqjen e akcizes për pijet energjike

14 Shtator 20016, Tirane
BASHKIMI TREGTARI SHQIPERISE
Për heqjen e akcizes për pijet energjike
drejtuar Ministrise se Financave
1- Parashtrimi i situatës
Më 28 Dhjetor 2013, me procedurë të shpejtë dhe pa konsultim paraprak me grupet e interesit, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin Nr. 180/2013 duke amenduar legjislacionin e zbatueshëm tatimor në lidhje me detyrimin e akcizës. Objektivi i këtij amendimi në legjislacionin tatimor shqiptar ishte rritja në të ardhurat e shtetit, si pjesë e një serie të gjerë masash për të trajtuar pasojat e krizës së vazhduar financiare në vend. Sipas dispozitave të miratuara, të cilat u bënë të zbatueshme nga 1 Janari 2014, pijet energjike iu nënshtruan akcizës prej 50 lekë / litër.
Gjatë debatit parlamentar në fund të Nëntorit 2014 (për buxhetin e vitit 2015), qeveria propozoi të hiqte akcizën për pijet energjike duke filluar nga Janari 2015. Partitë e opozitës e mbështetën fuqimisht ruajtjen e akcizës në buxhet. Kështu në fillim të Dhjetorit të vitit 2014, u gjet një zgjidhje kompromisi dhe u mor vendim për të reduktuar nivelin e akcizës për pijet energjike nga vlera aktuale prej 50 lekë / litër në 30 lekë / liter, vendim i cili hyri në fuqi në Janar të vitit 2015.

2- Vlerësimi i pijeve energjike përkundrejt pijeve të tjera të gazuara/freskuese, që përmbajnë kafeinë

Pijet energjike janë pije funksionale jo-alkoolike, të cilat tregtohen në mënyrë të sigurtë në të gjithë botën, në më shumë se 165 vende. Një kanaçe tipike 250 ml me pije energjike përmban të njëjtën sasi kafeinë me një filxhan kafe filtër (konkretisht 80 mg kafeinë). Gjithashtu, pijet energjike përbëjnë vetëm 1% të totalit të tregut të pijeve jo-alkoolike .

Në Opinionin Shkencor më të fundit mbi sigurinë e kafeinës, në Maj 2015, Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore (EFSA) rikonfirmoi rezultatet e studimeve të mëparshme, sipas të cilave marrja e moderuar e kafeinës nga të gjitha burimet deri në 400 mg në ditë nuk krijon shqetësime sigurie për të rriturit në popullatën e përgjithshme të shëndetshme.
Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore (EFSA) gjithashtu ka konfirmuar sigurinë e pijeve energjike dhe përbërësve të tyre duke u shprehur se nuk ka gjasa që kafeina ndërvepron negativisht me përbërësit e tjerë tipikë në pijet energjike. Për më tepër, EFSA u shpreh në Opinionin e saj (Shkencor) për sigurinë e kafeinës, se fëmijët nuk marrin kafeinë përmes konsumit të pijeve energjike pasi nuk janë konsumatorë të tyre, ndërsa adoleshentët në sasira shumë më të vogla sesa kufiri minimal ditor i lejueshëm.

Për sa më sipër dhe në Raportin e Vlerësimit të Riskut për Kafeinën të EFSA, nuk ka asnjë arsye shkencore për trajtimin e pijeve energjike ndryshe nga pijet e tjera të gazuara/freskuese që përmbajnë kafeinë, të cilat kontribuojnë më shumë në sasinë e përditshme të kafeinës ne krahasim me pijet energjike .

3- Vlerësimi i kësaj takse përkundrejt harmonizimit ekonomik me Komunitetin Europian
Në 12 qershor të vitit 2006 u nënshkrua ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Europian Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (“MSA”), e cila hyri në fuqi me 1 prill 2009, pas ratifikimit të saj nga 25 vendet anëtare asokohe të BE-së, si dhe miratimin e saj nga Parlamenti Shqiptar.
Një ndër katër shtyllat e MSA është ajo e cilat trajton dispozitat tregtare për nxitjen e marrëdhënieve ekonomike të harmonizuara lidhur me liberalizimin progresiv të këmbimeve deri në vendosjen e një zone tregtie të lirë ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë, çka përcaktohet dhe në synimet e këtij asociimi (MSA, neni 1).
Taksa e vendosur e akcizës është në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Specifikisht, bazuar në nenin 33, pika (1) të MSA-së, pjesë e Titulli IV “Lëvizja e Lirë e Mallrave”, është e ndaluar për Palët “të vendosin detyrime të reja doganore për importet ose tarifa të reja me efekt të njëjtë me to…. në tregtinë ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë“.
Në veçanti, më parë (para MSA) akciza e aplikueshme prej 2 lekë/ litër për të gjitha produktet që bien në kategorinë tarifore 2202 (duke përfshirë edhe pije jo-alkoolike) është zvogëluar gradualisht duke u hequr tërësisht në vitin 2010, në përputhje me detyrimet nga MSA .
Në kontrast të plotë me këtë tendencë, dhe në shkelje të detyrimeve të MSA-së, u vendos një taksë e re akcize, e cila – edhe pas reduktimit të përmendur më lart – është ende 15 herë më e lartë se ajo e shfuqizuar më parë.
Pavarësisht nga shkelja e detyrimeve ndërkombëtare të Shqipërisë, kjo masë e miratuar kohët e fundit, përveç të tjerave është e papërshtatshme për të arritur objektivin që synohet. Rritja e konsiderueshme e çmimeve i ka drejtuar konsumatorët të ulin konsumin, duke çuar në ulje të mëtejshme në të ardhurat e shtetit. Siç mund të shihet pas më shumë se dy vjet nga implementimi i akcizës, të ardhurat shtetërore në fushën specifike janë reduktuar për shkak të të ardhurave të ulëta nga TVSH-ja, që rrjedhin nga rënia e konsiderueshme në importe dhe shitje. Efekte të tilla janë parë edhe me të ashtuquajturën “taksën për yndyrën” (për ushqimet me yndyrë) në Danimarkë, e cila si pasojë solli shfuqizimin e kësaj takse kohëve të fundit.
4- Propozimi Ynë – ne raport me nismat e Minitrise së Financave
Duke vlerësuar nismat e fundit të Ministrisë së Financave, të cilat i vlerësojmë si hapa pozitivë të ndërmarrë në kuadër të lehtësimit të të bërit biznes në vend, pjesë dhe të aksionit kundër informalitetit, si dhe bazuar në sa më sipër, me anë të kësaj Kërkese:
I bëjmë thirrje Qeverisë Shqiptare të rimarrë në konsideratë taksën e akcizës dhe të heqë plotësisht nënshtrimin e pijeve energjike ndaj akcizës, në planifikimin e ardhshëm të buxhetit për vitin 2017.
Dhe një herë dëshirojmë të theksojmë se kjo taksë nuk ka asnjë justifikim shkencor dhe është një masë diskriminuese e papërshtatshme për të arritur objektivin që synon.
Në përfundim, Zoti Ministër, me besimin se kërkesa e parashtruar me këtë letër për heqjen e akcizës për pijet energjike do të merret në konsideratë gjatë hartimit të paketës fiskale për vitin 2017, dëshirojmë të përcjellim gjithashtu gadishmërinë tonë për të bashkëpunuar me stafin Tuaj lidhur me çdo informacion shtesë që mund të nevojitet për sa më sipër.

Shoqata “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë”

Baza Ligjore: Ligj nr. 180/2013 datë 28.12.2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar

Publikime
About admin-btsh